Përmbajtja e Programi
Udhëzime metodologjikeTeknologjia dhe TIK-u i ofrojnë shkollës potenciale të shumëfishta, si për shembull: me ndihmën e kompjuterit dhe të internetit zhvillohet të nxënit bashkëpunues, autonom dhe problemzgjidhës. Kjo kërkon përdorimin e duhur të mjeteve teknologjike, si dhe njohjen specifike të tyre. Në përgjithësi njeriu mëson nëpërmjet fitimit ose shkëmbimit të informacionit, vëzhgimit, iniciativës vetjake për gjetjen e zgjidhjes së problemit ose duke u motivuar nga strategjitë e të nxënit. Potencialet e mjeteve teknologjike sot përfshijnë edhe ofrimin e shërbimeve në këto drejtime, duke bërë të mundur të nxënët. P.sh.: kompjuteri me programet dhe mundësitë e tij mund të kthehet në mjet burimor informacioni dhe komunikimi, gjithashtu ai është mbështetës, ilustrues, prezantues, ndihmës, plotësues i materialeve mësimore. Në këtë formë, mësues-i/ja gjatë lëndës së TIK-ut nuk ndihmon vetëm nxënësit të përvetësojnë njohuritë e reja, por i ndihmon ata t’i përdorin këto njohuri edhe në lëndët e tjera. Mbarëvajtja e orës së mësimit arrihet me sukses gjatë gërshetimit të këtyre komponentëve: njohurive, aftësive dhe qëndrimeve. Njëra nga metodat më të sakta të përvetësimit të njohurive të TIK-ut do të ishte realizimi i projekteve kurrikulare, në mënyrë që nxënësit të vënë në praktikë njohuritë e marra, si edhe t’i gërshetojnë këto njohuri me njohuritë e lëndëve të tjera. Në këtë mënyrë nxitet kreativiteti, zhvillohet motorika dhe nxitet të menduarit për zgjidhjen e problemeve. Suksesi i kësaj ore mësimore pasqyrohet sidomos në lirinë e fituar te nxënësit për t’i përdorur mjetet e TIK-ut. Nëpërmjet punës në grupe nxënësi vlerëson bashkëpunimin me shokët e shoqet e klasës, krijon lirshmërinë e vendimmarrjes dhe të përgjegjësisë ndaj komunitetit. Njohuritë e përftuara gjatë orës mësimore bëhen më konkrete dhe më të realizueshme nëse detyrat lidhen edhe me veprimtaritë në shkollë dhe me veprimtaritë që nxënësit mund të realizojnë jashtë shkollës. Puna në grup ose në dyshe jep mundësi për debat ose konsultim. Kështu zhvillohet përgjegjësia ndaj komunitetit ose komunikimi me të tjerë, duke fituar siguri vetjake, aftësi në përdorimin e saktë të mjeteve të TIK-ut me një synim të caktuar. Për nxënësit do të ishin të përshtatshme edhe metodat gjysmë kërkimore për një problem të caktuar. Këto metoda i nxisin nxënësit të kërkojnë vetë në fillim zgjidhjen e problemit dhe, më pas, të punojnë në grup për zgjidhjen e plotë të tij. Gjatë këtyre hapave mësues-i/ja ka rolin e lehtësuesit dhe i ndihmon ata të shkojnë drejt zgjidhjes së duhur. Për zhvillimin sa më të mirë të kompetencës digjitale tek nxënësit po dhe të kompetencave të tjera kyçe është të rëndësishme që gjithë ora e mësimit të jetë e bazuar në situata konkrete të cilat e kërkojnë zgjidhjen e problemit nëpërmjet të mësuarit duke bërë gjithashtu përpunimin e njohurive nëpërmjet punëve praktike. Shembull konkret i përpunimit të njohurive (klasa 7-9) Interesi më i madh i TIK-ut në klasë është mbi të rejat që ai sjell ndërmjet informacionit dhe komunikimit. T’u dërgosh mesazhe shumë personave në të njëjtën kohë. Të vesh në dispozicion të nxënësve shumë informacione. Të përdorin forma të ndryshme burimesh, të gjetura në web ose në dokumente të shkruara. Të dialogosh shpejt dhe saktë në kohë reale. Mësues-i/ja zbaton veprimtari metodike, duke përdorur burime të shumëllojshme. Një nga rastet konkrete do të ishte përdorimi i klasës informuese, e cila motivon nxënësit të punojnë së bashku, si edhe të marrë rolin si lider të informacionit. Klasa informuese Në klasat informuese, nxënësit mund të këmbejnë informacion mes tyre. Në këtë formë të gjithë e njohin informacionin dhe, në të njëjtën kohë, nxënësit zhvillojnë aftësitë e bashkëpunimit me njëri-tjetrin. Është e rëndësishme që të jenë të ftuar edhe specialistë të fushës për të pasuruar mësimdhënien. Rëndësia e këtyre veprimtarive është se shumë njerëz mund të diskutojnë në forma të ndryshme për të njëjtën temë, si edhe të kenë, gjithashtu, mendime të ndryshme mbi të njëjtën temë. Për këtë arsye, vendoset që një klasë të shërbejë si klasë informuese, në mënyrë që informacioni të përqendrohet në një vend dhe më pas të shpërndahet. Kjo detyrë mund të realizohet në tri faza, gjë që nënkupton në tri javë mësimore. Faza 1: Klasa e caktuar si klasë informuese kërkon informacion mbi temën duke përdorur media të ndryshme (enciklopedi, video, CD-ROM, WEB), të cilat i lexojnë ose i shikojnë. Në të njëjtën kohë, mësues-i/ja realizon në klasë veprimtari që lidhen me mënyrën e të kuptuarit dhe të seleksionimit të informacionit. Këto shpjegime i ndihmojnë nxënësit që të përgatiten për të prodhuar këto lloje tekstesh shpjeguese. Në të njëjtën kohë, kjo lloj detyrë jep mundësinë të korrigjohen fenomenet ortografike dhe sintaksore. Më pas, ky informacion shpërndahet te klasat e tjera, të cilat mund të kërkojnë edhe më pak informacion mbi temën ose të përgatitin pyetje rreth temës së studiuar. Faza 2: Nxënësit e klasës informuese realizojnë tekste mbi temën e zgjedhur. Në fund të këtyre detyrave nxënësit mund të organizojnë një ekspozitë brenda shkollës, në të cilën paraqesin krijimin e një faqeje web, ku vendosin punët e tyre dhe mund të përgatisin edhe dosje për nxënësit e tjerë. Qëllimi i këtij ushtrimi do të ishte vendosja në një dokument të vetëm e të gjitha informacioneve të gjetura gjatë fazës kërkimore. Faza 3: Do të ishte arritja finale ku dhe nxënësit e klasave të tjera mund të kenë dëshirë të diskutojnë mbi temën dhe diskutimi realizohet online nëpërmjet e-mail-it. Gjatë këtyre fazave janë përdorur të gjithë komponentët e TIK-ut: Kërkimi i informacionit në internet. Prodhimi i informacionit dhe publikimi i tij në faqe web. Kontaktimi i nxënësve të tjerë përmes e-malit-it. Qendërzimi i përgjigjeve në një dokument të vetëm. Përdorimi i TIK-ut duhet të shihet si një mjet që i ndihmon nxënësit të përqendrohen më gjatë në klasë, pasi informacioni mund të transmetohet në forma të ndryshme: audio-vizive (eksperimentet virtuale, filmat dokumentarë, prezantime PowerPoint, postera, leximi i historive on line, të ritregojnë historinë duke e rishkruar në Word, të ndajnë informacione me shkollat e tjera nëpërmjet e-mail-it). Udhëzime për vlerësiminGjatë procesit të vlerësimit në klasë mësuesit duhet të kenë në fokus vlerësimin e arritjeve të nxënësve dhe realizimit të kompetencave kyçe, por dhe kompetencave të fushës. Që vlerësimi të bazohet mbi arritjet e nxënësve duhet të mbahen në kosideratë disa parime kryesore. Parimet kryesore të vlerësimit Vlerësimi formues duhet të jetë pjesë e situatave mësimore në të cilat ndodhen nxënësit. Gjithashtu është e rëndësishme që situatat mësimore të jenë komplekse në mënyrë që nxënësit të kenë më tepër lirshmëri për të dhënë zgjidhje problemore të ndryshme por edhe të zhvillojnë mendimin kritik dhe krijues gjatë realizimit të situatës. Vlerësimi si proces lidhet me tërësinë e metodave, praktikave dhe teknikave që përdorin mësuesit për të testuar, për të kontrolluar, analizuar dhe për të matur nivelin e njohurive, aftësive dhe të performancës së nxënësve. Vlerësimi duhet të jetë i realizueshëm, i vlefshëm, korrekt, i besueshëm dhe i saktë. Vlerësimi duhet të japë një pasqyrë për arritjet e nxënësit, si edhe vështirësitë që mund të kenë nxënësit gjatë realizimit të detyrave ose projekteve kurrikulare. Të vlerësosh nxënësit nuk do të thotë vetëm t’i vendosësh atij një notë, por edhe ta ndihmosh atë të kalojë vështirësitë gjatë arritjes së kompetencave. Në skemën në vijim do të japin një shembull konkret se si mësuesi niset nga situata e të nxënit për të realizuar vlerësimin e nxënësve. Hapat që mund të ndiqen për krijimin e një metodologjie vlerësimi që ndihmon në krijimin dhe vlerësimin e situatës. Vlerësimi në klasë luan një rol të rëndësishëm në mënyrën se si mësojnë nxënësit, në motivimin e tyre për të nxënë dhe në mënyrën e shpjegimit të mësuesit. Pyetjet që lidhen me cilësinë (besueshmërinë, burimet e referencës, vlefshmërinë) janë të rëndësishme për të gjitha llojet e vlerësimit në klasë. Qëllimi kryesor i vlerësimit është që nxënësit të bëhen autonomë dhe të jenë në gjendje të vetëvlerësojnë progresin e tyre. Vlerësimi bëhet në atë çka nxënësit kanë përvetësuar dhe janë të aftë të bëjnë. Vlerësimi mund të bëhet individual ose në grup, në klasë ose jashtë saj. Mësuesit nuk e kanë të detyrueshëm vlerësimin me notë të nxënësve në çdo orë mësimore dhe vendosjen e notave në regjistër për secilën orë mësimore. Gjatë kohës që bëhet planifikimi i programit ose i vlerësimit, është e rëndësishme që të bëhen pyetjet e mëposhtme të cilat e ndihmojnë mësuesin të bëjë një vlerësim të bazuar në parime kryesore.
Në asnjë metodologji vlerësimi, qëllimi final nuk është që mësuesit ose vlerësuesit të arrijnë të përdorin të gjitha shkallët dhe tipat e vlerësimit (në të gjitha nivelet) në të njëjtën kohë. Dihet që mësuesit dhe vlerësuesit do të hasin vështirësi për të përdorur në të njëjtën kohë një numër të madh kategorish vlerësimi. Kështu del detyrë që në çdo praktikë vlerësimi, mësuesit dhe vlerësuesit duhet të përpiqen të zvogëlojnë numrin e kategorive të mundshme në një sasi lehtësisht të manipulueshme. Përvoja ka treguar se 4-5 kategori kërkojnë një përqendrim maksimal, ndërsa 7 kategori përbëjnë një prag psikologjik që nuk mund të kapërcehet. Pra, duhet bërë një zgjedhje. Një shembull konkret do të ishte: Nëse për realizimin e një detyre ka shumë kategori për t’u arritur, mësues-i/ja duhet të zgjedhë 4-5 kritere që mund të arrihen nga secili nxënës. Kategoritë gjatë realizimit të një projekti kurrikular dhe punës në grup: Strategji e marrjes së fjalës Strategji e bashkëpunimit Kërkesë për sqarime Lirshmëria Fleksibiliteti Koherenca Zhvillimi tematik Saktësia Fusha e përgjithshme Shtrirja e fjalorit Burimet e përdorura për realizimin e punimit Respektimi i kohës së prezantimit Qartësia e slide-ve Kriteret kryesore që duhen të merren parasysh dhe që ta vlerësojnë nxënës-in/en në mënyrë sa më objektive do të ishin: Zhvillimi tematik Strategji e marrjes së fjalës Burimet e përdorura për realizimin e punimit Lirshmëria Qartësia e slide-ve Disa lloje vlerësimi që mund të përdoren nga mësuesit: Vlerësimi formues Ky lloj vlerësimi duhet të realizohet në mënyrë të vazhdueshme nga mësues-i/ja, në mënyrë që të kuptohen vështirësitë e nxënësve, më pas të shihet ecuria e tyre dhe në fund të kapitullit të shihet nëse janë arritur kompetencat e kërkuara. Për nxënësit e arsimit të mesëm të ulët, ky vlerësim është shumë i rëndësishëm pasi ata fillojnë të analizojnë në mënyrë të thelluar çfarë janë në gjendje të arrijnë dhe këtë ta përdorin si pikën e tyre të fortë. Gjatë këtij vlerësimi, mësues-i/ja duhet të vëzhgojë herëpashere nxënësit, të realizojë bashkëbisedime me ta, të realizojë produkte të ndërmjetme para produkteve finale. Ky lloj vlerësimi i ndihmon nxënësit të gjejnë mënyrën e duhur për të mësuarin efektiv. Vlerësimi nëpërmjet portofolit Një formë tjetër vlerësimi , që e ndihmon nxënësin të shohë se si ai avancon hap pas hapi, është edhe vlerësimi nëpërmjet portofolit. Portofoli i nxënësit është një mundësi vlerësimi e vetëvlerësimi, i cili përmban një koleksion punimesh të organizuara prej tij gjatë vitit shkollor. Ai mund të përmbajë detyra shtëpie me shkrim, detyra tematike, projekte kurrikulare, fotografi e produkte të veprimtarive kurrikulare. Përzgjedhjet për portofolin bëhen nga nxënësit, kurse mësues-i/ja është në rolin e atij që drejton dhe rekomandon. Qëllimi kryesor i portofolit është që nxënës-i/ja të koleksionojë ato dokumente që atij mund t’i shërbejnë në vitet në vijim. Gjithashtu, në portofol, nxënës-i/ja mund të shohë se si ai/ajo përparon nga muaji në muaj ose nga semestri në semestër. Vetëvlerësimi Ky lloj vlerësimi është vetëgjykim i nxënësit për arritjet e tij. Vetëvlerësimi shpesh shërben si një plotësues i domosdoshëm i teknikave të vlerësimit, të bëra nga mësues-i/ja dhe nga provimet. Pika e fortë e vetëvlerësimit qëndron në faktin se ai është një faktor motivimi dhe ndërgjegjësimi. Ai i ndihmon nxënësit të njohin pikat e tyre të forta dhe të dobëta dhe kështu të organizojnë më mirë të nxënët e tyre. Duhet theksuar që vetëvlerësimi është më i vlefshëm dhe më objektiv nëse nxënësit i jepen kritere të sakta mbi të cilat ai/ajo bën vetëvlerësimin e punës së tij/saj. P.sh.: mund t’i kërkohet nxënësit të hartojë një skedë vetëkorrigjimi, për të korrigjuar me shkrim gabimet më të shpeshta dhe, më pas, ai/ajo ta integrojë korrigjimin në veprimtarinë e kërkuar. Materiale dhe burime mësimorePër arritjen me sukses të kompetencave në fushën e TIK-ut dhe teknologjisë është e rëndësishme të përdoren materiale dhe burime mësimore që japin një informacion të kuptueshëm për moshën e nxënësit dhe që e ndihmojnë atë të zhvillojë aftësi, shkathtësi, njohuri dhe qëndrime të nevojshme për të mësuarin gjatë gjithë jetës. Njëri nga burimet e thjeshta mësimore , që përdoret shpesh nga nxënësit dhe mësuesit, është teksti mësimor. Mirëpo me zhvillimin e shpejtë të teknologjisë dhe të shtimit të informacionit digjital, mësuesi duhet ta shohë tekstin më tepër si një burim nxitës por jo të mjaftueshëm për të zhvilluar kompetencat kyçe te nxënësit. Mësuesit mund të bashkëpunojnë online me mësues të shkollave të tjera për të gjetur burime të besueshme informacioni, që u vijnë në ndihmë jo vetëm nxënësve për të zhvilluar aftësitë e tyre, por edhe mësuesve për të zhvilluar një qasje të re metodike. Nëpërmjet rritjes së shumë llojshmërisë së burimeve ne nxisim më shumë nxënësit të zhvillojnë mendimin kritik, krijues dhe problemzgjidhës gjatë procesit mësimor. Disa nga burimet që mund të përdoren nga mësuesit për zhvillimin e orës mësimore mund të jenë: bibliotekat elektronike, broshurat informuese apo ndërgjegjësuese, enciklopeditë, software eletronike në funksion të të nxënit, studimet shkencore me fokus tek teknologjia dhe TIK-u, etj... Gjithashtu në bashkëpunim me nxënësit dhe shkollat mund të organizohen seminare të ndryshme mësimore dhe punimet më të mira të publikohen dhe t’u vihen në dispozicion të gjitha shkollave. Në ditët e sotme, ndodh shpesh që nxënësi të jetë një hap përpara mësuesit për sa u përket informacioneve elektronike, prandaj mësuesit mund të krijojnë forume mësimore bashkë me nxënësit për të krijuar materiale në ndihmë të procesit mësimor. Faqe nga Download 0,69 Mb.
|