Hyrje
Në kohët e sotme, teknologjia dhe TIK-u janë kthyer në një mënyrë jetese ndaj së cilës fëmijët janë të tërhequr. Për t’iu përshtatur sa më mirë ndryshimeve të kohës, është i nevojshëm integrimi i TIK-ut në ciklin fillor pasi ndikon në zhvillimin e kompetencës digjitale te të gjithë nxënësit. Fëmijët e sotëm fillojnë të përdorin mjetet digjitale në një moshë shumë të re, ndaj shkolla duhet t’u përgjigjet nevojave të nxënësit.
Arsimi teknologjik është një komponent thelbësor i kurrikulës. Në një botë, ku ndeshesh me shumë lloje teknologjish, të cilat janë pjesë e jetës së përditshme për të gjithë njerëzit, nxënësit duhet të pajisen me aftësi për t’u përballur me to me vetëbesim. Është po aq e rëndësishme që nxënësit të vlerësojnë dhe të kuptojnë marrëdhënien komplekse ndërmjet teknologjisë dhe shoqërisë. Si qytetarë, ata duhet të jenë të aftë të bëjnë gjykime vetjake mbi çështjet që lidhen me ndikimin e teknologjisë në jetët e tyre, në shoqëri dhe në mjedis.
Nxënësit e moshës digjitale vijnë në shkollë me njohuri, gjykime, opinione dhe pyetje të mara nga burime të pafundme digjitale të informacionit të cilat mësuesi duhet t’i konsiderojë si pjesë të kurrikulës në tërësinë e saj.
TIK-u dhe teknologjia janë një formë e veçantë e veprimtarisë krijuese, ku njerëzit ndërveprojnë me mjediset e tyre duke përdorur materialet, inputet dhe proceset e duhura në përgjigje të nevojave, dëshirave dhe mundësive të tyre. Ajo integron shprehitë për zgjidhjen e problemeve dhe ato praktike në prodhimin e produkteve dhe të sistemeve të dobishme. Për këtë arsye ajo është e pranishme në shumë fusha të të nxënit, por veçanërisht në fushën e shkencave natyrore.
Korniza konceptuale e programit
Hartimi i programit lëndor rrjedh nga: Korniza kurrikulare e arsimit parauniversitar, kurrikula bërthamë dhe plani mësimor i arsimit bazë:
Si i tillë ky dokument i shërben:
nxënësit për zhvillimin e kompetencave kyçe dhe kompetencave të fushës së teknologjisë dhe TIK-ut, në mënyrë që ai të përballojë sfidat e jetës dhe të integrohen në shoqëri.
mësuesit për planifikimin realizimin dhe vlerësimin e veprimtarisë mësimore dhe arritjet e nxënësve në klasë dhe jashtë saj.
prindit për njohjen e rezultateve të pritshme të fëmijëve dhe kritereve të vlerësimit në periudha të caktuara kohore.
hartuesit të teksteve mësimore dhe të materialeve ndihmëse për mësuesit dhe nxënësit.
Programi i TIK-ut ka në thelb të tij krijimin e kushteve për ndërtimin e kompetencave të fushës/lëndës si dhe të kompetencave kyçe që lidhen me to. Realizimi i temave ndërkurrikulare nëpërmjet fushës së teknologjisë dhe TIK-ut është një komponent i rëndësishëm i programit për kontributin e tij në shoqëri dhe në jetën e përditshme. Në program, gjithashtu, përshkruhet lidhja e tik-ut me fushat e tjera, në mënyrë që kurrikula e arsimit bazë të shihet si një e tërë për realizimin e qëllimit kryesor të formimit të nxënësve.
Programi përmban 5 tematika, të cilat krijojnë kushte që nxënësi të ndërtojë dhe zbatojë njohuritë, shkathtësitë, qëndrimet dhe vlerat, në funksion të kompetencave të lëndës dhe kompetencave kyçe. Në program paraqiten edhe koha mësimore për secilën tematikë, që ndryshon nga klasa në klasë.
Përdorimi i metodologjive efikase në mësimdhënie është kusht për zbatimin e programit, për arritjen e kompetencave nga ana e nxënësve,duke i dhënë secilit mundësinë të shfaqë dhe të zhvillojë potencialin që zotëron brenda vetes. Në këtë program vlerësimi i nxënësve, është komponent thelbësor për përmirësimin e arritjeve të nxënësve dhe procesit të të nxënit.
Programi i tik-ut, nga pikëpamja e organizimit të përmbajtjes, paraqitet në diagramin e mëposhtëm:
Diagrama 1 Korniza konceptuale e programit
Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (TIK)
Fushat e të nxënit
Gjuhët dhe komunikimi
Shkencat e natyrës
Matematika
Shkencat shoqërore
Artet
|